Peshat spearfishing
26
Apr

Peshat

Nuk ka një rregull të saktë lidhur me sasinë e peshave që peshkatari duhet të mbajë gjatë zhytjes. Secili peshkatar duhet të gjejë sasinë e tij optimale duke filluar nga peshat e lehta duke i shtuar nga një kg deri sa të arrijë në ekuilibrin e duhur. Edhe ekuilibri nuk përcaktohet në sipërfaqe por në thellësinë tipike të gjuetisë së tij. Për shembull, nëse gjuajmë në thellësi 5 m pesha duhet të jetë e tillë që në atë thellësi, ne të jemi në ekuilibër (të mos kemi tendencë të shkojmë poshtë, as sipër). Supozojmë se e kemi gjetur ekuilibrin në këtë thellësi e shkojmë poshtë 5 m. Tani do të vëmë re që do të humbim ekuilibrin dhe do kemi tendencë të bëhemi negativë (tendenca për të shkuar poshtë). Ndërkohë nëse shkojmë në 3 metra, do të vëmë re që në atë thellësi jemi pozitivë (kemi tendencë për tu ngjitur në sipërfaqe). Për këtë arsye shumë peshkatarë përdorin më shumë pesha kur gjuajnë afër sipërfaqes e më pak për thellësi.

Elementët që duhet të kemi parasysh për të llogaritur peshën janë trashësia e kostumit(sa më i trashë, aq më pozitiv), pesha trupore (sa më i shëndoshë, aq më pozitiv është trupi pasi dhjami është më i lehtë se muskujt) dhe pajisje të cilat kemi me vete.

Peshat e peshkatarit nënujor janë të këshillueshme të jenë të ndara në 3 pjesë. Një pjesë në kurriz nëpërmjet mbajtëses së kurrizit, një pjesë në brez dhe një pjesë nëpër kavilje nëpërmjet kaviliereve. Si praktik njihet edhe mbajtja e të gjitha peshave në brez. Megjithatë ndarja e tyre si më sipër ka 2 avantazhe ku i pari është që lehtëson mesin nga mbirëndesa dhe i dyti është që ndan peshën në mënyrë të atillë që lehtëson lëvizjet nën ujë.